Fjala e themeluesit

dsc_0039“Ardhmëria” lindi si koordinim i dëshirës dhe shqetësimit të disa të rinjve shqiptarë, të cilët i bashkonte rruga për te vlerat hyjnore dhe angazhimi për t’i shërbyer shoqërisë shqiptare nëpërmjet këtyre vlerave, duke besuar se kjo rrugë është më e mira për njerëzit dhe me një ndikim të dukshëm në tejkalimin e tranzicionit që po kalon populli ynë. Sot, pas katërmbëdhjetë vitesh, bindja jonë në rëndësinë e një misioni të tillë sa vjen e bëhet edhe më e fortë.

Sot, shqetësimi ynë për rimëkëmbjen e moralit është shndërruar në veprim. Ne jemi aktivë në përpjekjet tona për të paraqitur një model të qëndrueshëm e të qartë. Një model që bazohet te vlerat hyjnore dhe që shëmbëllehet në njerëz që kontribuojnë në shoqërinë ku jetojmë.

Katërmbëdhjetë  vite më parë, edhe pse nisma jonë ishte modeste, dëshira  për të kontribuar ishte shumë më e madhe .

Natyrshëm, vitet në vazhdim bënë që veprimtaria jonë të zgjerohet dhe projektet tona të jenë më konkrete dhe me ndikim më të gjerë në shoqëri.

Sot, numri i aktivistëve, bashkëpunëtorëve, dashamirësve dhe donatorëve që i kanë besuar dhe i janë bashkëngjitur misionit tonë është rritur dukshëm dhe ata mbeten kapitali kryesor dhe shpirti që i japin jetë misionit të Ardhmërisë.

Bashkë me “Ardhmërinë”, edhe ne që identifikohemi me emrin e saj, jemi 15 vjet më të rritur.

Idealet, objektivat dhe ambiciet tona janë  më të prekshme, më efektive. Sot, ne ndihemi më të vetëdijshëm për sfidat dhe përgjegjësitë që na takojnë në të ardhmen.

Në 15 vite të jetës politike dhe ekonomike të një shoqërie shumëçka mund të ketë ndryshuar, megjithatë misioni ynë mbetet aktual.

Ne besojmë se ai mision nuk vjetrohet dhe nuk e humbet rëndësinë e tij, sepse i përgjigjet një nevoje thelbësore që shqetëson çdo shpirt njerëzor. Kjo nevojë konsiston në njohjen e “hyjnores” si themel mbi të cilin ngrihen të gjitha vlerat e “njerëzores”, vlera këto që vazhdimisht duhen ujitur për të qëndruar të gjalla dhe të freskëta.

Besojmë gjithashtu, se misioni ynë nuk është risi në këtë shoqëri. Ai bazohet tek traditat dhe virtytet e shkëlqyera  të popullit tonë ndër vite, me synimin për t’i rrënjosur edhe më thellë në vetëdijen kombëtare dhe për t’i përçuar në brezat e ardhshëm.

Bashkë me ne, natyrshëm janë rritur sfidat dhe përgjegjësitë… Prandaj, ashtu si 15 vite më parë, “Ardhmëria’’ vazhdon të jetë një derë e hapur bashkëpunimi, për të gjithë ata që besojnë se e ardhmja ju përket atyre që punojnë për të.

 

Tahir Zenelhasani