images ‘E bukura’ si kategori estetike të prek në emocion dhe krijon ndjeshmëri dhe sensibilitet, e ndodhur në çdo cep te sferës materiale dhe asaj jomateriale. Në boten universale te artit me ‘të bukurën’ kuptojmë një vendosje të pakontestueshme të harmonisë së pjesëve përbërëse të saj dhe të masës. Po ‘e bukura’ për dy sy të thjeshtë që e kërkojnë të përmalluar atë atje ku ajo ndodhet, por dhe atje ku ajo s’ndodhet, ç’është? U bë kohë që dua ta gjej, si një marinar i lodhur, i rraskapitur nga stuhitë dhe dallgët e jetës kërkoj prehje prej saj në bregdet, në një ishull apo në një port, ta çplurosë ajo shpirtin tim të mërzitur dhe ai i mahnitur nga bukuria e saj ti buzëqeshë pa ndrojtje! Tani më s’po mundem, ajo nuk është kërrkund ku shtrihet shikimi dhe dëgjimi im, ndijimet e mija, perceptimi dhe logjika ime! Mos ndoshta ndodhe jashtë kontureve të kësaj bote dhe unë po lodhem kot? Apo ndoshta ajo po luan me mua, largohet prej meje, fshihet diku në një skutë e qesh e më marros me hijeshinë e saj, teksa unë s’po mundem dot ta gjej? Të jetë a të mos jetë, e ç’lidhje kam unë me këtë botë, kur jam thjesht një udhëtare, që pasi jam ndalur nën hijen e një peme për të kaluar vapën do e le atë dhe do të iki në rrugën time?!

   Por përse mos ta vesh këtë pushim të shkurtër me nuancat e saj shumëngjyrëshe, ta bëj atë një me unin tim; t’iu mësojë ajo syve të shkëlqejnë, gjuhës të turpërohet prej pabukurive të fjalëve të saj, buzëve të qeshin, zemrës t’i thurë vetes një triko me punë të mira për të zbukuruar dhe ngrohur vetveten. Përse të mos bëhem unë ‘e bukura’ për njerëzit që vazhdojnë ta kërkojnë atë? Përse të mos jem dëshmia e ekzistencës ‘të së bukurës’ për ata të cilëve nuk iu ka mbetur më shpresë, të humbur ne xhunglën e modeleve të ofruara rreth saj? Po, po nuk do të heq dorë së e kërkuari atë, siç Isak Njutoni nuk hoqi dorë nga zbulimi i të vërtetës së tij, për të cilën është shprehur: -“Nuk e di se si mund t’i dukem botës, por mua më duket vetja sikur kam qënë një djalë që ka luajtur në breg të detit dhe herë pas here kam lëvizur për të gjetur një guralec më të lëmuar apo një guaskë më të bukur sesa të zakonshmet, teksa oqeani i madh i së vërtetës shtrihej krejt i pazbuluar përpara meje.” Dhe ‘e bukura’ është e vërteta që unë dua të gjej!

   Vërtet po pushoj, por më shumë se hija e pemës zemrën time e qetëson zhytja në pafundësinë e detit ‘të së bukurës’, e cila qartazi pasqyrohet në blunë e dallgëvë të tij. Dhe kur ta kem gjetur do e mbjell në zemrën time, të mos më lodhë më duke e kërkuar. Dhe frutat e saj le të jenë ‘fjalët e bukura’, një pasaportë për të arritur në çdo zemër. Flladi i sinqeritetit të këtyre fjalëve do e përhapë polenin e saj dhe çdo shpirt do të jetë një kopësht i ri ku ajo mund të lulëzojë. Le të jetë fryti i saj ‘buzëqeshja’, një fjalë e bukur pa shkronja, por që shpreh atë që asnjë kombinim shkronjash s’mund ta shprehë. I dërguari i All-llahut (s.a.s) ka thënë: – “Buzëqeshja jote ndaj vëllait tënd është lëmoshë”. Të uriturit më shumë se gjithçka tjetër i nevojitet një pjatë ushqim, të pastrehit një çati mbi kokë, atij që ka ftohtë një palë doreza të ngrohta; të ushqejë, mbrojë dhe ngrohë trupin e vet! Po zemra çfarë? Atë mund ta ushqejë, ta mbrojë dhe ta ngrohë veçse një buzëqeshje, sepse buzëqeshja është vetë shpirti i së bukurës.

Në këtë pushim të shkurtër mos të përqëndrohem te gjymtyrët dhe të harroj shpirtin, se shpirti plaket shumë shpejt dhe kur pushimit në këtë botë t’i vijë fundi, një shpirti të plakur gjymtyrët nuk do i përgjigjen dhe ato do e përfaqësojnë jo denjësisht atë!

   Dhe nëse edhe ti e gjen ‘të bukurën’ mos e izolo brenda vetes, t’ia marrësh asaj frymën e të vdesë brenda teje, sepse shumë bukur Ajnshtajni ka thënë: -“Njeriu fillon të jetojë kur jeton me veten e tij jashtë vetes së tij”. Jeto dhe ti kështu mes njerëzish dhe lejoje dhe ‘të bukurën’ brenda vetes të jetojë në çdo njërën prej fytyrave të personave rreth teje, se ‘e bukura’ s’mundet të jetojë në ngushticën e një shpirti të vetëm, ajo është krijuar aq e tepërt sa nuk i mjaftojnë as gjithë shpirtrat që rrahin mbi këtë tokë dhe jo vetëm…

Por ende ekziston dikush, diku afër meje, apo atje larg në një cep të paditur të globit që ende është në kërkim ‘të së bukurës’ pasi për të ‘e bukura’ është ajo çka ai ende nuk mundet ta posedojë! Dhe lëshon kthetrat i zemëruar ta përvetësojë atë me çdo kusht dhe ajo ndrydhet e shëmtohet prej frikës së gllabërimit.

Gëte ka thënë: -“Bukuria frenon çdo zemërim!”, atëherë si mundet një njeri ta përdorë atë si argument të zemërimit të vet!!

     -“Uau sa shtëpi e bukur!”, çdonjëri prej nesh e ka thënë apo dëgjuar këtë frazë. E ç’kuptojmë me një shtëpi të bukur? Materiale të bukura ndërtimi; dyer, dritare, orendi të bukura? Pra e bukura na qenka një objekt pa jetë ? Një shtëpi?!

E diku tjetër shohim një kasolle pothuajse të rrënuar, ku tek-tuk i mungon ndonjë tjegull, madje nuk ka as dritare dhe brenda saj një nënë ngroh nën përqafimin e saj fëmijët e vet dhe ne përsëri themi: -“Sa bukur!”. Pra ‘e bukura’ i tejkaloka kufijtë e së prekshmes dhe përveç syrit ditka të kënaqë dhe zemrën.

Pra miku im më shumë se një shtëpi ‘e bukura’ na qenka një familje!                                                                               

Por si ta konstatojmë ne ‘të bukurën’?

Dhe poeti i madh Naim Frashëri është përgjigjur me vargjet:

Posa pashe Bukurinë,

Zemrën e varfër seç ma piku,

Ndjeva në të dashurinë,

Që më erdh’ dhe më s’më iku!

     Këto vargje Tolstoi do i interpretonte me një fjali të vetme: -“Bukuria dhe dashuria janë dy arsyet për të jetuar!”. Dashuria është ajo që e mban shpirtin gjallë dhe kjo dashuri do të ishte ende duke fjetur në zemrat tona nëse ‘e bukura’ nuk do e zgjonte vazhdimisht atë.

E çfarë tjetër veç dashurisë mund ta bëjë robin të lumtur?

Pra ‘e bukura’ s’na qenka gjë tjetër veçse gjithçka lumturon shpirtin e njeriut!

Por a mundet të gjithë njerëzit t’i lumturojë e njëjta arsye? Kam frikë se jo! Sepse çdo njeri është dashuruar me të bukurën brenda korrnizës së tij vetjake. Jemi dashuruar të gjithë me relativen, me të bukurën e kufizuar ne korrnizat tona të shtrembëra. E dikush tjetër midis nesh me të bukurën platonike, brenda një korrnize imagjinare, një ‘e bukur’ që jeton veç në ëndrra! Por përse mos ta hedhim shikimin jashtë këtyre korrnizave, ku më kot mundohemi ta kufizojmë ‘të bukurën’ e pafundme! ‘E bukura’ i tejkalon madje edhe kufijtë e kësaj bote, në dukje e madhe, dhe jo më të korrnizës sonë mikroskopike. Dhe kur ta zbulosh të vërtetën në mendje do të të vijnë fjalët e Platonit:

-“ Bukuria është shkëlqimi i së vërtetës”. Dhe nëse ti ëndërron ta mishërosh ‘të bukurën universale’ brenda vetes, mos harro miku im se e ardhmja iu përket atyre që vërtet besojnë në bukurinë e ëndrrave të veta. Por më e bukura ndër të bukurat është vërtet ta besosh ekzistencën e saj, dhe besimi  na është servirur si bukuria e dynjasë dhe dynjaja e bukurive. Mungea e besimit o mik e verbon zemrën, siç verbon mungesa e dritës sytë dhe ti nuk e dallon dot as të bukurën më të afërt që ke, veten tënde!! Posedon 5 shqisa për ta parë, dëgjuar, nuhatur, shijuar dhe për ta ndjerë të bukurën dhe a ka gjë më të bukur se kjo??

     Vazhdimisht ne njerëzit duam të dukemi të bukur, prandaj dhe do të paguanim sa të na kërkohej për të poseduar veshjet më ‘trendy’ të mundshme dhe harrojmë se njeriu më i urryer te Zoti është ai që rrobat i ka më të bukura se sa punët që kryen! Pasuria na gënjen me petkun e pushtetit që aq shumë e ëndërrojmë dhe harrojmë se nuk ka element të dytë që ta lartësojë njeriun sa morali i bukur.

Dua dhe unë të jem e bukur, po si?

Po e zbukuroj fytyrën me më të bukurin e aksesorëve, buzëqeshjen. Po e kënaq mendjen jo me pushtet por me dije, pasi e bukura është fryt i dijes, të diturit dinë  siç lulet çelin, ashtu siç farat mbijnë. Kurse shpirtin do e zhvesh nga shthurja, se veç shëmtia pajtohet me të, kurse e bukura vetëm me pastërtinë dhe pafajësinë. Dhe dhënia e kësaj forme mund të bëhet nëse tretet si duhet njeriu e pastaj futet në kallëpin përkatës. Po ku ta gjej unë kallëpin ideal për të modeluar vetveten? Ku ta gjej një shembull të bukur???

     -“I dërguari i All-llahut është një shembull i bukur për ata që shpresojnë në shpërblimin e  All-llahut, në Ditën e Ringjalljes, për ata që e përmendin shpesh All-llahun, (Kur’an, Ahzab: 21). Në qiellin tim të mendimit ai (s.a.s) është ylli që shndrin më tepër dhe unë do bëj atë që mekasit kanë thënë: – “Vraponi për tek ai (s.a.s) dhe bëhuni një me shpirtin e tij. Kur Profeti (s.a.s) shihej në pasqyrë thoshte: -“O Zot, ashtu siç më ke zbukuruar fizikisht më zbukuro dhe moralisht.”. Provoje dhe ti ta zbukurosh moralin tënd dhe nëse dështon, dështo përsëri, por bukur siç Belet e ka thënë. Ai (s.a.s) ishte fytyrë e ëmbël, natyrë e lehtë, jo i rëndomtë, jo i ashpër, as i rëndë në kritikë, as i tepruar në të lavdëruar, ai (s.a.s) ishte i bukur!

Më thoni miqtë e mi, nuk doni dhe ju t’i ngjasoni sadopak atij?

Flisni, por në rast se ajo që doni të thoni nuk është më e bukur, heshtni atëherë!

Ku je moj ‘e bukur’? A ka kuptim ende ta bëj këtë pyetje?!                                                                                     ‘

E bukura’ është buzëqeshja e nënës sime, kur unë vrapoj të hidhem në krahët e saj.

‘E bukura’ janë thinjët e babait tim, arkivat e së kaluarës që ngjallin respekt.

‘E bukura’ është përqafimi i gjyshes, me duart e rrudhura që dridhen lehtë mbi supin tim.

‘E bukura’ janë sytë e motrës sime, ku unë shoh të reflektuar dashurinë e saj.

‘E bukura’ ështe gjesti i një fëmije, kur i zgjat duart e vogla dhe të jep diçka.

‘E bukura’ janë tik-taket brenda kraharorit, që nuk lodhen së më kujtuari që unë jetoj.

‘E bukura’ është qielli mbushur plot yje, drita e të cilëve ndiçon çdo mister.

 ‘E bukura’ është natyra, që vazhdimisht e ndërron petkun e vet dhe herë vishet në të gjelbër, herë në ngjyrë ari dhe herë në të bardhë apo blu.

‘E bukura’ është dielli, që s’harron asnjëherë të agojë.

‘E bukura’ janë lulet, të njomura nga vesa e mëngjesit në livadh.

‘E bukura’ janë këngët e zogjve, teksa ndërtojnë çerdhe për të vegjlit e tyre.

‘E bukura’ janë bletët, vizitoret e luleve që posedojne helm e prodhojnë mjaltë.

‘E bukura’ është uji, aq i shijshëm ndonëse pa shije, i kristaltë ndonëse pa ngjyrë.

‘E bukura’ është era, teksa e ndjen, kur s’mund ta shohësh.

‘E bukura’ është lumturia në fytyrën e të vobektit, kur i jep sadaka.

 ‘E bukura’ është dashuria e një gruaje, kur për herë të parë mban në krah fëmijën e saj.

‘E bukura’ është të mundesh ta ndjesh dashurinë e qiellit, kur balli e puth tokën.

‘E bukura’ është aroma e Xhennetit, kur në çdo ëndërr unë jam banore e tij.                                                              .                                                                                                                                                                              .

 ‘E bukura’ është kjo botë me ngjyra e nëse s’më beson përfytyroje atë bardhezi.

Por i dashur vëlla duke u mahnitur që po dallojmë ngjyrat harruam të mendojmë për dritën që na e mundësoi dallimin.

Dhe mos gabojmë miku im ta kërkojmë atë burim drite, të vetmin të së bukurës absolute, brenda xhamave të një akuariumi të vogël me emrin Tokë!

Por në minierën e ndjesive Të fshehur, le Ta zbulojmë dhe do e ndjejmë praninë e Tij si ‘të bukurën’ më të çmuar!

Dhe kur t’iu mësojmë syve tanë ç’është ‘e bukura’ ata s’do të shohin asgjë tjetër përveç saj.

Dhe kur t’i ushqejmë zemrat tona me ëmbëlsinë e shijes ‘të së bukurës’, këtyre zemrave të dashuruara sytë do iu binden ta kërkojnë atë dhe t’iua sjellin atyre pranë!

Ai (xh.sh) është ‘I Bukuri’ (El-Xhemijlun) dhe ti je ende në kërkim të saj?!!

Ai (El-Khalik)  e do ‘të bukurën’dhe ti pretendon ai të mos e ketë krijuar atë?!!

Dhe kur ta gjesh ‘të bukurën’, kujtohu miku im që më e bukur është fjala

Elhamdu lil-lah !

Na ndiqni në:

Leave A Comment