Dogma shqiptare e të “pamundurës” – Romeo Ismahilaj

resized_curiosity_by_fromdax-d4oan9rGjatё njё seminari tё realizuar nё Fakultetin e Shkencave Sociale tё Universitetit tё Tiranёs, nё kursin e masterit tё ‘Teorive Politike’, i cili kishte ftuar pёr referim njё deputet tё rёndёsishёm tё kuvendit shqiptar, pati njё sekuencё ngacmuese. Pak para pёrfundimit tё seminarit, njёri prej studentёve tё kursit i drejton deputetit pyetjen tashmё “klasike”: «pёrse shoqёria jonё, nё 25 vite demokraci, nuk ka arritur tё formojё shtet tё sё drejtёs dhe mirёqёnies sociale?». Deputeti nё fjalё, me vetёdije tё prerё, ngushёllues ndaj fatit tё ‘keq’ tё shqiptarёve duke pёrcjellё me shikimin e tij nota tё keqardhjes, i patundur nё qёndrimin e vet dhe i inkuadruar qё me anё tё intelektit tё shprehё posedimin e vlerave mё tё mundshme tё dinjitetit njerёzor kundrejt trysnisё sё aktualitetit, artikulon njё pohim tё cilin mesa duket e kishte pёrvetёsuar prej kohёsh dhe e mbante nё kujtesё tё gatshёm pёr konsum: «ne jemi produkt i sё kaluarёs historike».

Ky parim filozofik i njohjes, i cili ёshtё shndёrruar nё bindje dogmatike, mbizotёron vetёdijen dhe reagimin e pёrgjithshёm tё shoqёrisё sonё ndaj aktualitetit. Shprehje tё tilla si ‘ne jemi popull qё nuk bёhemi’, ‘shqiptarёt janё njerёz qё nuk ndryshojnё’ e tё tjera tё ngjashme, pёrshkruajnё njёrin prej tipareve kryesore tё shumicёs sё individёve nё shoqёrinё shqiptare: bindjen e thellё ndaj determinizmit historik dhe humbjen e shpresёs pёr tё pёrmirёsuar aktualitetin nёpёrmjet depёrtimit ndёrveprues brenda tij. Kjo frymё pesimizmi ёshtё pёrzgjedhur si mё e thjeshta dhe mё e lehta nё synimin pёr ta çliruar veten prej pёrgjegjёsive personale e sociale. Por pasojat e shkaktuara prej kёsaj pёrzgjedhjeje priren ta shtojnё masёn e fajit tonё pёrkundёr qёllimit pёr tё na çliruar prej pёrgjegjёsive.

Si pjesёtarё tё kombit shqiptar dhe si qytetarё kontraktues me kushtetutat e shteteve qё u pёrkasim kemi disa aspirata primare si: liria pёr tё jetuar nё bazё tё bindjeve e parimeve  tona, barazia e tё gjithёve karshi statutit qё parashikojnё ligjet kushtetuese, zbatimi i tё drejtave themelore tё njeriut ashtu siç pёrshkruhen nё konventat ndёrkombёtare edhe minimizimi i krimit e korupsionit. Por problemi qёndron se shumica prej nesh besojnё se nuk ёshtё i arritshёm edukimi i shqiptarit tё lirё, i cili jeton nё bazё tё parimeve tё tij, as formimi i njё sistemi koherent nё drejtёsi apo gjyqёsor, as edhe formimi i politikanёve qё e garantojnё zbatimin e rendit kushtetues. Pra, kjo kategori personash ёshtё e bindur se realizimi i kёsaj gjendje morale tek individi dhe drejtёsia sociale janё tё pamundura, bindje kjo e cila mendojmё se duhet shqyrtuar.

Kundёrshti logjike nёn hijen e kritikёs filozofike

Sipas filozofit Baruh Spinioza, «e pamundur ёshtё ajo ekzistencё natyra e sё cilёs mbart kundёrshti nёse ekziston» (Etika: 509). Nëse këtë përkufizim do e përdorim si parametër në përcaktimin e saktësisë së  bindjeve dominante që ne si shqiptarë kemi për vlerat dhe aftësitë tona, atëherë bindjet rreth ‘të paumundurës’ nuk e kalojnë dot provën e vërtetësisë. Të mendosh që ekzistenca e shqiptarit tё moralshёm si personalitet, tё drejtё si gjykatёs dhe tё aftё si politikan (aftёsi nё funksion tё interesit publik) ёshtë e pamundur, do të thotë që nëse ne argumentojmë qoftë edhe njё model të të realizuar, ky besim dogmatik rrëzohet, pasi asnjё opinion ose paragjykim nuk mund tё gёzojё aspak prioritet ndaj postulatit me natyrё matematike. Pra, tё besosh se shqiptari ёshtё e pamundur tё realizohet si personalitet (nё tё gjitha dimensionet pozitive), do tё thotё tё kesh njё bindje tё gabuar e cila nuk mbёshtetet prej logjikёs formale. Thёnё ndryshe: pretendimi pёr tё arritur modelin e synuar dhe rezultati i pёrfituar nga pёrpjekjet nё funksion tё realizimit tё kёtij modeli nuk pёrplasen, qё do tё thotё sё ajo qё mendohet si e pamundur, nё rastin tonё logjikisht ёshtё e mundur.

Historia gjithashtu nuk e aprovon dogmёn e “tё pamundurёs”

Sfera e historisё ёshtё njё pikёmbёshtetje e fortё e argumentave tё cilёt pёrcaktojnё si inkoherente idenё e pamundёsisё sё realizimit tё njё mendimi origjinal shqiptar prej tё cilit tё derivojnё artikulime unike tё kulturёs. Ismail Qemali simbolizon njё prej modeleve emblematike shqiptare nё fushёn e formimit tё njё identiteti kauzal politik. Madje udhёheqja e elitave politike tё kohёs sё tij dhe pozicionimi strategjik nёn kushtёzimet e atyre rrethanave aq kritike pasqyron aplikimin mё adekuat tё parimit aksiomatik spinozist tё sipёrcituar (e pamundur ёshtё ajo ekzistencё, natyra e sё cilёs mbart kundёrshti nёse ekziston). Gjithsesi edhe sikur shembujt tё mungonin, kjo gjё nuk i cёnon aspak tё vёrtetat e shprehur prej aksiomave.

Historia e popullit tonё ёshtё e pasur me modele tё shumta tё personave dhe grupeve tё caktuar tё cilёt realitetin nё tё cilin kanё jetuar e kanё konceptuar krejt ndryshe nga forma e interpretimit qё i bёjnё njё pjesё e konsiderueshme e elitave intelektuale e politike tё sotme lidhjes mes pjesёmarrjes njerёzore brenda kёtij proçesi jetёsor dhe qёllimit tё saj. Sami Frashёri, mes tjerёsh, paraqet pёrmbushjen e njё misioni elitar nё fushёn e formimit tё njё personaliteti me vlera mbikombёtare si dhe asaj tё artikulimit tё njё programi politik qё konceptonte qartё vizionin me natyrё kozmopolite tё marrёdhёnieve ndёretnike. E gjithё elita intelektuale e ideologёve tё Rilindjes  pёrkrahinin njё kategori botёkuptimesh tё ekuilibruara mbi jetёn. Botёkuptime kёto tё cilat asokohe, ndёr shumё vlera tё tjera, potenconin dukshёm edhe nё mospranimin e mohimin e asaj pikpamjeje qё priret tё pozicionohet nё pozitat e inferioritetit, pikpamje kjo e cila sot fatkeqёsisht ёshtё dominuese nё rrafshin intelektual dhe rrejdhimisht edhe nё kategoritё e tjera sociale tё shoqёrisё sonё.

Shumё prej pёrfaqёsueve tё elitёs politike dhe intelektuale tё pas viteve 90’ i karakterizon njё shprehi e masivizuar e cila zakonisht artikulohet justifikueshёm me frazёn “nuk duam tё jemi pesimistё por pёr hir tё realitetit…”. Me anё tё kёtij justifikimi tejkalohen shumё pёrgjegjёsi tё neglizhuara prej kёtyre elitave, sepse ky pёrshkrim pёrmban nё sfondin e vet njё kёndvёshtrim tё devijuar mbi pikpamjen dhe interpretimin e disa tё vёrtetave logjike tё pakontestueshme. Bindjet qё prodhon ky kёndvёshtrim derivojnё keqinterpretime tё resurseve humane dhe tё kapitalit tё vlerave sociale.

Filozofёt mё tё njohur e kanё nisur ndёrtimin e botёkuptimeve mbi jetёn duke vendosur nё bazё tё tyre postulate logjike, tё vёrteta absolute tё pakundёrshtueshme prej mendjes. Njё prej kёtyre postulateve e ka zanafillёn nё filzofinё antike greke dhe dikton se «çdo gjё ёshtё nё ndryshim pёrveç ndryshimit». Kjo aksiomё shёrben shumё mirё pёr tё luajtur rolin e indikatorit pёr njё prej formave tё artikulimit tё dogmёs sё tё “paumundurёs” shqiptare. Shprehja “shqiptarёt janё njerёz qё nuk ndryshojnё”, arsyetuar nёn vlerёsimin e standartit tё postulatit qё huazuam prej filozofisё greke, pёrcaktohet si e papranueshme logjikisht pasi kundёrshton faktin e kuptuar a priori se tё gjitha gjёrat janё nё ndryshim. Duke qenё se edhe ne jemi pjesё e qenieve tё kёsaj bote, ёshtё normale tё nёnkuptohet se edhe ne karakterizohemi prej ndryshimit permanent. Prej kёsaj qasjeje ndaj realitetit vijojnё pasoja tё dёmshme pёr shoqёrinё e cila konceptohet si e palёvizshme e rrjedhimisht e pandryshueshme.

Jemi tё çekuilibruar apo jemi pjesё e njё ekuilibrimi tё gjithanshёm

Justifikimi me anё tё tezёs se ne jemi duke jetuar njё periudhё tё çrregulluar ёshtё prej burimeve kryesore qё çojnё deri te keq-qeverisja dhe destabiliteti social. Jeta funksionon nё bazё tё njё ekuilibri qё i kapёrcen shkakёsitё njerёzore. «Ekuilibri është rezultat i veprimit të përnjëhershëm i të dy tendencave të kundërta; po qe se njëra apo tjetra do të pushonte plotësisht funksionin, ekuilibri nuk do të arrihej kurrë, kurse bota do të zhdukej; por një supozim i tillë nuk mund sigurisht të realizohet, sepse që të dy termat e kundërshtimit nuk kanë kurrfarë kuptimi të veçuar njëri nga tjetri, kurse çfarëdo që të jenë gjasat, mund të pushojmë të sigurt se të gjitha çekuilibrimet e pjesërishme dhe kalimtare më në fund do të ndihmojnë për realizimin e vet ekuilibrimit të gjithmbarshëm» (Kriza e Botёs Bashkёkohore: 6).

Si individё tё kёsaj shoqёrie duhet tё besojmё te ky ekuilibrim i raporteve nёse duam tё realizojmё jetёn tonё duke u pozicionuar nё anёn e parimeve morale tё cilat janё tё vetmet qё munden tё realizojnё gjendjen e kohezionit dhe solidaritetit ndёrsocial, gjendje tё cilёs i kundёrvihet anarkia me tё gjitha format dhe pasojat e saj.resized_fotolia-33368734-m-1024x768 Puna dhe qёndrimi ynё pёrcaktohet domosdoshmёrisht vetёm nё njёrin prej kёtyre dy gjendjeve, prandaj pёr ne ёshtё shumё e rёndёsishme tё kuptojmё drejt konceptin dogmatik tё sё “pamundurёs”, pasi pёrkundёr formulёs “…pёr hir tё realitetit”, dhe dogmёs sё pasaktё “ne jemi produkt i tё kaluarёs historike, nuk bёhemi, nuk ndryshojmё…” etj., pёr mendjen tonё ёshtё mё e kthjellёt ideja se jeta
realizohet pambarim dhe nocioni i pamundёsisё sonё pёr tё qenё dinjitoz pёrfaqёson vetёm njё prej mёnyrave tё pafundme tё realizimit tё kёsaj jete, e cila sё pari kuptohet dhe pёrjetohet nga aspekti i brendshёm psiko-shpirtёror ndёrsa aplikimi i tij material pёrfaqёson vetёm artikulimin  e jashtёm tё realizimit tё jetёs. Nёse nuk do kuptojmё tё brendshmen pёr ta sunduar veten, atёherё e jashtmja do na robёrojё.

 

Na ndiqni në:

Leave A Comment